Papa Leo: Popujt e botës duan paqe

  • A.P /
  • 14 May 2025 - 12:05
Papa Leo: Popujt e botës duan paqe

Papa i ri amerikan, Leo XIV, i cili u bë kreu i 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën javën e kaluar, ofroi të ndërmjetësojë midis vendeve në luftë, duke deklaruar se “do të bëj çdo përpjekje që paqja të mbizotërojë”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një fjalim të mbajtur në sallën e mbushur të Palit VI në Vatikan, sipas AFP-së, ai është shprehur me fjalët:
“Që nga Tokë e Shenjtë në Ukrainë, nga Libani në Siri, nga Lindja e Mesme në Tigray e Kaukaz – sa shumë dhunë shohim!”

Tutje Papa u ka bërë thirrje të gjithëve që të luten për paqe, duke shtuar se, “Selia e Shenjtë është gjithmonë e gatshme të ndihmojë për të sjellë përballë njëri-tjetrit armiqtë, që të flasin, që popujt të rifitojnë shpresën dhe dinjitetin që meritojnë – dinjitetin e paqes.”

Ai poashtu u ka bërë thirrje liderëve botërorë me fjalët:
“Popujt e botës duan paqe. U bëj thirrje me gjithë zemër: Të takohemi, të flasim, të negociojmë!”

Papa po fliste gjatë një eventi të paracaktuar për Vitin e Shenjtë Jubilar 2025, kushtuar 23 kishave katolike lindore të pranishme në Evropën Lindore, Lindjen e Mesme, Indi dhe pjesë të Afrikës.

(Kosova Sot Online)