
Policia jep detaje për sulmin ndaj gjinekologut kosovar

Gjinekologu Afrim Veliu është sulmuar mbrëmë në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Ai është goditur me një mjet metalik teksa po futej në veturë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës ka konfirmuar rastin.
Ngjarja sipas tij raportohet se ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:00 në Ulpianë, lagje e Prishtinës.
Sipas Borovcit, doktori është goditur në kokë me një mjet metalik, teksa po futej në makinën e tij.
“Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur”, tha Borovci.
Sipas Borovcit, viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur.
“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor””
(Kosova Sot Online)