
Ja kush kërkon zgjidhje urgjente për bllokadën e Kuvendit

Një grup i organizatave të shoqërisë civile, ka reaguar rreth bllokimit të konstitutimit të Kuvendit të Kosovës. Këto organizata thonë se kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Qeveria aktuale, të cilës i ka përfunduar mandati, po vazhdon të veprojë pa mbikëqyrje dhe kontroll parlamentar, situatë kjo e papranueshme për një shtet demokratik”.
“Në anën tjetër, Kuvendi jofunksional po e pamundëson miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe vendimeve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe qytetareve, duke rrezikuar stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në përfaqësim demokratik. Bllokada aktuale është duke vonuar e rrezikuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në kohën kur masat e vendosura nga BE dhe pezullimi pothuajse i tërësishëm i fondeve amerikane kanë reduktuar ndjeshëm mbështetjen financiare për Kosovën”.
Në reagim thuhet se zhvillimet gjeopolitike aktuale kërkojnë përgjegjësi dhe veprime të shpejta nga shtetet demokratike.
“Mosfuksionalizimi i Kuvendit të Kosovës është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm. Ky stagnim rrezikon që vendet partnere të humbin besimin në aftësinë tonë për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të vepruar si një shtet serioz në skenën ndërkombëtare”.
Ato i bëjnë thirrje udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë që u është besuar dhe të veprojnë menjëherë për tejkalimin e krizës politike.
“Përmes dialogut dhe me fokus te zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve, të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe përqendrim në interesin e përbashkët është e papranueshme dhe cenon thellë besimin publik në përfaqësimin demokratik.
Mosveprimi nuk është opsion. Çdo vonesë e mëtejme kërkon llogaridhënie publike.Shoqëria civile mbetet e gatshme të ofrojë kontributin e saj për tejkalimin e kësaj krize dhe rikthimin e funksionalitetit demokratik në vend”, theksohet në reagim.
(Kosova Sot Online)