Zelensky paralajmëron për sanksione

  • A.P /
  • 26 May 2025 - 08:23
Zelensky paralajmëron për sanksione

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar një pako të re sanksionesh kundër Rusisë, të cilat synojnë individët e lidhur ngushtë me pushtetin e presidentit rus, Vladimir Putin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përmes një postimi në rrjetin social X të dielën, Zelensky bëri të ditur se masa të reja janë ndërmarrë kundër atyre që ndihmojnë financiarisht dhe propagandistikisht agresionin rus ndaj Ukrainës.

“Pakoja e parë përfshin rusë të përfshirë në financimin e aktiviteteve terroriste ruse, manipulime financiare dhe skema për shmangie të sanksioneve ‘që u shërbejnë interesave ruse’”, ka shkruar ai.

Presidenti ukrainas sqaroi se pakoja e dytë i drejtohet propaganduesve rusë, të cilët kanë luajtur rol në nxitjen e luftës përmes dezinformimit.

“Pakoja e dytë përfshin propagandues rusë, ‘gënjeshtrat e të cilëve ushqejnë sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës’”, shtoi ai.

Ai theksoi gjithashtu se masat do të prekin edhe grupet mafioze që mbështesin regjimin e Kremlinit.

“E treta zbatohet ndaj anëtarëve të grupeve mafioze ruse që kanë ndihmuar ndjeshëm në ngritjen e regjimit të Putinit dhe që vazhdojnë të jenë të lidhur me të”, tha Zelensky.

Duke theksuar bashkëpunimin ndërkombëtar, ai njoftoi se po punohet për harmonizimin e sanksioneve me vendet partnere.

“Ne po punojmë për t’i harmonizuar sanksionet ukrainase me rregullat e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe juridiksioneve të tjera kryesore globale”, deklaroi ai, duke theksuar se objektivi është goditja e strukturave që janë në shërbim të Rusisë.

Zelensky paralajmëroi gjithashtu vendime të reja që do të ndërmerren së shpejti nga institucionet shtetërore.

“Vendime të reja nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe të Mbrojtjes do të pasojnë së shpejti”, përfundoi ai.


(Kosova Sot Online)