
Dështon për herë të 22-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës edhe sot për herë të 22-të ka dështuar në përpjekjet e radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhje e 9 shkurtit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Tentimi i LVV-së për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk kaloi. 54 deputetë votuan për, një kundër. Abstenime nuk pati.
Pasi Albulena Haxhiu dështoi disa herë me radhë që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, LVV-ja po e hedh në votim çdo dy ditë propozimin për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili gjithashtu nuk po i merr votat e nevojshme.
Partitë tjera shqiptare argumentojnë se është shkelje ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit.
Gjykata Kushtetuese po e shqyrton një pyetje që ka shkuar atje në lidhje me këtë çështje.
Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së, Avni Dehari e ndërpreu seancën sot, duke njoftuar vazhdimin e saj për pasnesër në orën 11:00.
(Kosova Sot Online)