
Në Burgun e Dubravës gërmohet për të pagjetur

Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë nisur gërmimet brenda hapësirës së Burgut të Dubravës, në kërkim të mbetjeve mortore të një personi të zhdukur gjatë ose pas luftës në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, bëri të ditur se hetimet janë ndërmarrë pas identifikimit të një dëshmitari nga Policia e Kosovës, i cili ka ofruar informacione kyçe për një ngjarje që ka ndodhur menjëherë pas përfundimit të luftës.
“Sipas dëshmitarit, një person ishte gjetur në pjesën e malit disa ditë pas luftës. Pa ndihmën e askujt, dëshmitari e kishte varrosur në një lokacion që tani është brenda perimetrit të burgut. Ai na e ka treguar vendin dhe bazuar në dëshminë e tij, janë duke u zhvilluar gërmimet”, ka thënë Morina, sipas Koha.
Aktualisht, ekipet e specializuara janë në terren, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për të konfirmuar nëse vendi i treguar përmban mbetje të personit të zhdukur.
(Kosova Sot Online)