Zelensky: Rusia po bën gjithçka

  • A.P /
  • 31 May 2025 - 13:30
Zelensky: Rusia po bën gjithçka

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vënë në pikëpyetje serioze sinqeritetin e Rusisë për të ecur drejt një marrëveshjeje paqësore, ndonëse Moska ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin e radhës në Stamboll të hënën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zelensky ka akuzuar Kremlinin se po sabotojnë procesin, duke mos treguar vullnet të mirë për një rezultat konkret.

“Që një takim të jetë kuptimplotë, agjenda e tij duhet të jetë e qartë, dhe negociatat duhet të përgatiten ashtu siç duhet”, ka deklaruar presidenti ukrainas, duke shtuar se Rusia “po bën gjithçka për t’u siguruar që takimet e radhës të mos jenë frytdhënëse”.

Ndërkohë, pavarësisht paralajmërimit për pjesëmarrje, Moska ende nuk ka dërguar ndonjë propozim zyrtar për negociata, edhe pse kjo është një kërkesë kyçe nga pala ukrainase. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se kushtet për një armëpushim do të diskutohen në Turqi.

Nga ana tjetër, Ukraina ka riafirmuar gatishmërinë e saj për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar, duke i dorëzuar Rusisë propozimet e saj.

Rundi i parë i bisedimeve që u zhvillua dy javë më parë në Stamboll nuk solli ndonjë marrëveshje përfundimtare, por palët patën rënë dakord për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve të luftës nga secila anë.

(Kosova Sot Online)