Izraeli ndalon anijen me ndihma humanitare për Gazën

  • A.P /
  • 09 June 2025 - 08:38
Izraeli ndalon anijen me ndihma humanitare për Gazën

Forcat izraelite kanë ndaluar një anije humanitare që ishte nisur drejt Gazës, në një përpjekje për të sjellë ndihma për popullatën palestineze që po përballet me krizë të rëndë humanitare. Anija “Madleen”, pjesë e koalicionit Freedom Flotilla (FFC), u ndalua në det të hapur dhe pasagjerët u dërguan në Izrael,transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndër të ndaluarit janë aktivistja e njohur për klimën Greta Thunberg, aktori i serialit të famshëm “Game of Thrones” Liam Cunningham, si dhe eurodeputetja franceze Rima Hassan.

Sipas njoftimeve nga koalicioni FFC, forcat izraelite u futën në bord të anijes në ujërat ndërkombëtare. Ata raportojnë se dronë izraelitë fluturonin mbi anije duke hedhur një substancë të bardhë mbi kuvertë, e cila shkaktonte djegie të syve dhe irritim. Ndërkohë, komunikimi me anijen u ndërpre dhe dëgjoheshin zëra shqetësues nëpër radio.

Në një video të publikuar nga Izraeli në rrjetet sociale, shihen pasagjerët me jelekë portokalli të shpëtimit, të ulur pranë njëri-tjetrit, ndërsa ushtarët izraelitë u shpërndajnë ujë dhe ushqim. Greta Thunberg shihet e ulur në pjesën e përparme të grupit.

Në një mesazh të regjistruar paraprakisht, të publikuar nga FFC pasi humbi kontakti me anijen, Greta Thunberg deklaron:
“Nëse po e shihni këtë video, atëherë jemi ndaluar dhe rrëmbyer në ujërat ndërkombëtare nga forcat izraelite ose aleatët e tyre.”

(Kosova Sot Online)