
Deputetët dështojnë për herë të 36-të, të konstituojnë Kuvendin

Deputetët kanë dështuar për herë të 36-të, të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kryesuesi Avni Dehari përsëriti kërkesën për subjektet politike që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por serish nuk pati propozime.
Nga 99 deputetë sa ishin në sallë, vetëm 53 deputetë votuan për komisionin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Një votoi kundër.
Pasi Albulena Haxhiu dështoi disa herë me radhë që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, LVV-ja po e hedh në votim çdo dy ditë propozimin për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili gjithashtu nuk po i merr votat e nevojshme.
(Kosova Sot Online)