
KEK ka një sqarim për tymin e zi

KEK ka informuar se Njësia A5 e TC Kosova A është rikthyer në operim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në njoftim thuhet se procesi i startimit të njësisë kishte filluar këtë mëngjes, pasi kishin përfunduar me sukses të gjitha ndërhyrjet e planifikuara, në kohë dhe me cilësi të lartë teknike.
Sot janë publikuar disa video ku shihet tym i zi i cili ka dalë nga termocentrali, për këtë KEK’u ka një sqarim.
Sipas kësaj koorporate energjetike, startimi i çdo njësie prodhuese, përfshirë njësinë A5 këtë mëngjes, është një proces kompleks dhe teknikisht i domosdoshëm, që zakonisht zgjat 3–4 orë.
Më poshtë komunikata e plot e KEK:
𝐍𝐣ë𝐬𝐢𝐚 𝐀𝟓 𝐞 𝐓𝐂 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐀 𝐫𝐢𝐤𝐭𝐡𝐞𝐡𝐞𝐭 𝐧ë 𝐨𝐩𝐞𝐫𝐢𝐦
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se sot, më 23.06.2025, njësia A5 e Termocentralit Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit, duke shënuar një rikthim të suksesshëm në operim, pas realizimit të një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të domosdoshme.
Procesi i startimit të njësisë kishte filluar këtë mëngjes, pasi kishin përfunduar me sukses të gjitha ndërhyrjet e planifikuara, në kohë dhe me cilësi të lartë teknike.
Punimet e realizuara përfshijnë:
• Sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse (i përfunduar të premten);
• Sanimin e rrjedhjeve në ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës (i përfunduar të dielën);
• Pastrimin me pompë presioni të ftohësve të hidrogjenit;
• Pastrimin e komorave në hyrje të kondenzatorit;
• Punime mirëmbajtëse në pajisjet e sistemit MRRK;
• Pastrimin e kuotave rreth kaldajës nga materiale të huaja – për rritje të sigurisë dhe efikasitetit operacional.
Ky rikthim në operim konfirmon edhe një herë kapacitetin dhe gatishmërinë e ekipeve tona teknike, të cilat, me përkushtim profesional dhe koordinim të vazhdueshëm, siguruan një proces të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të rikthimit të njësisë A5.
Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hashani, ka falënderuar të gjithë punonjësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre:
“Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë!”
————————————————————————-
𝐕ë𝐦𝐞𝐧𝐝𝐣𝐞 𝐩ë𝐫 𝐨𝐩𝐢𝐧𝐢𝐨𝐧𝐢𝐧 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤
Duke marrë parasysh interesimin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve, veçanërisht të banorëve që jetojnë në afërsi të Termocentralit Kosova A, KEK sh.a. dëshiron të ofrojë këtë sqarim teknik:
Ashtu siç kemi njoftuar edhe më parë, startimi i çdo njësie prodhuese, përfshirë njësinë A5 këtë mëngjes, është një proces kompleks dhe teknikisht i domosdoshëm, që zakonisht zgjat 3–4 orë.
Gjatë kësaj faze fillestare, për shkak të natyrës teknologjike të djegies – që fillimisht bëhet me naftë, e më pas, kur arrihet temperatura e nevojshme, me linjit – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet.
Kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit.
Siç dëshmohet edhe nga fotografitë e orës 11:07 (bashkelidhur), njësia është tashmë e stabilizuar dhe tymi është zhdukur, çka konfirmon përfundimin e suksesshëm të fazës së startimit.
KEK sh.a. bashkëndjen me qytetarët e komunës dhe posaçërisht me ata që ndodhen në afërsi të zonës operative. Sigurojmë qytetarët se proceset e startimit kryhen me përkujdesje të shtuar teknike, nën mbikëqyrje të vazhdueshme, dhe janë të domosdoshme për:
– 𝐠𝐚𝐫𝐚𝐧𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐟𝐮𝐫𝐧𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐬𝐭𝐚𝐛𝐢𝐥 𝐦𝐞 𝐞𝐧𝐞𝐫𝐠𝐣𝐢 𝐞𝐥𝐞𝐤𝐭𝐫𝐢𝐤𝐞, 𝐝𝐡𝐞
– 𝐫𝐮𝐚𝐣𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐬𝐢𝐠𝐮𝐫𝐢𝐬ë 𝐭𝐞𝐤𝐧𝐢𝐤𝐞 𝐭ë 𝐩𝐚𝐣𝐢𝐬𝐣𝐞𝐯𝐞 𝐞𝐥𝐞𝐤𝐭𝐫𝐨𝐞𝐧𝐞𝐫𝐠𝐣𝐞𝐭𝐢𝐤𝐞.
(Kosova Sot Online)