Erdogan i kërkon Trumpit të ndërmjetësojë për paqe

  • A.P /
  • 28 June 2025 - 12:15
Erdogan i kërkon Trumpit të ndërmjetësojë për paqe

Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, ka përdorur Samitin e NATO-s për të përcjellë një mesazh të fortë ndaj komunitetit ndërkombëtar: Nevojitet një armëpushim i përhershëm mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa në Rripin e Gazës duhet të vendoset menjëherë një pushim-zjarri për të ndalur krizën humanitare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zyra e presidentit turk ka njoftuar se Erdogan është takuar me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, me të cilët ka diskutuar për tensionet në Lindjen e Mesme, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian.

Ai është takuar edhe me presidentin amerikan, Donald Trump, ku ka përsëritur qëndrimin e Turqisë për një qetësim afatgjatë në rajon.

“Presidenti Erdogan mirëpret armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit, por thekson nevojën që kjo të kthehet në një stabilitet të përhershëm. Në të njëjtën kohë, situata në Gazë po përkeqësohet çdo ditë e më shumë, dhe nevojitet një armëpushim i menjëhershëm për të ndalur katastrofën humanitare”, thuhet në njoftim.

Turqia, si anëtare e NATO-s, ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza që nga shpërthimi i konfliktit më 7 tetor 2023.

(Kosova Sot Online)