
Rama - Kurtit: Të bëhemi bashkë e t’u grahim proceseve të mëdhaja

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të takohen e të bashkëpunojnë për projektet e mëdha të kryeqytetit të cilat kanë mbetur të bllokuara, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ata u përplasën me deklarata në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të një çerdheje në lagjen Bardhosh të Prishtinës.
Rama tha se “është mirë kur kemi një bashkëpunim mes nivelit qendror dhe kryeqytetit dhe po e shohim tash një fillim të mirëfilltë këtu”.
“Kemi edhe një numër të madh të projekteve në kryeqytet që unë kisha dashtë me iu lutë kryeministrit në detyrë këtu publikisht që ta shbllokojë buxhetin e kryeqytetit që është i bllokuar, bartja po ashtu, projektet e mëdha si Unaza e Kryeqytetit që është 206 milionë, 82.4 milionë prej tyre janë faktkisht falas – edhe ato mund t’i shtyejmë përpara”, tha ai.
Po ashtu, ai i tha Kurtit “të takohemi, se s’jemi taku ende qe katër vite, unë e kryeministri për të mirën e kryeqytetit”.
“Ta vazhdojmë kryeministër, të bëhemi bashkë e t’u grahim proceseve të mëdhaja dhe jo vetëm këtyre të voglave. Por është e mirë edhe kjo”, tha ai.
Kurti nisi t’i përgjigjej duke thënë se “çerdhja s’është minore” sepse “bëhet fjalë për fëmijët”.
Ai tha se kanë bërë investime në kryeqytet.
Investimet madhore, Kurti tha se “kërkojnë planifikime të tjera”, ndërsa tha se ato mbase do t’i diskutojnë me ndonjë kryetar tjetër të Prishtinës.
“Ky është një plan shumëvjeçar të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër, e kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”, tha Kurti.
(Kosova Sot Online)