Mustafa: Asnjëra palë s’i kanë numrat për të qeverisur

  • A.P /
  • 30 June 2025 - 15:00
Mustafa: Asnjëra palë s’i kanë numrat për të qeverisur

 Isa Mustafa, ka deklaruar se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë, megjithatë ai thotë se po interpretohet nga keqdashës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Nuk më takon mua të përcaktoj përgjegjësinë se kush po e bllokon Kosovën në konstutuimin e institucioneve. Sepse për ata që kanë mend po shihet qartë. Pavarësia nuk është investim, ose është më së paku investim, i bllokuesve të tanishëm, prandaj edhe bllokojnë pa asnjë ndjenjë dhe përgjegjësi”.

Ai fajëson Vetëvendosjen për mosinteresim të konstituimit të Kuvendit.

Por edhe nëse ndodh kjo, Mustafa ka thënë se asnjëra palë nuk i kanë votat për të qeverisur.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, por në çdo tekst gjendet hapësirë për interpretim subjektiv keqdashës, siç po bëhet tani nga lloj-lloj diletanti. Dihet qartë se partia që doli e para nuk është e interesuar ta konstituojë Kuvendin. Por edhe sikur të konstituohet as pozita e deridjeshme dhe as opozita nuk kanë vota për të qeverisur”, ka thënë ai për Periskopin.

E për këtë ai sugjeron që partitë të gjejnë zgjidhje për zgjedhje të reja.

“Partitë do duhej të gjejnë një zgjidhje për të shkuar në zgjedhje të reja, gjithsesi jo së bashku me ato lokale. Modalitete ka nga vendet e tjera, përmes një qeverie kalimtare me afat të caktuar”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se kur ishte pjesë e politikbërjes s’janë pajtuar me njëri tjetrin, por kanë gjetur rrugë për zgjidhje.

“As ne në të kaluarën nuk jemi pajtuar me njëri-tjetrin. Por kemi fol, kemi komunikuar, jemi ulë në zyra, në restorante, në shtëpi dhe kemi biseduar pa ngarkesa. Nuk kemi biseduar për tu dorëzuar, ashtu siç po predikojnë disa sot, por për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Mustafa.


(Kosova Sot Online)