Deputetët do të mblidhen sërish në përpjekjen e 41-të për konstituimin e Kuvendit

  • A.P /
  • 03 July 2025 - 07:48
Deputetët do të mblidhen sërish në përpjekjen e 41-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët do të mblidhen sërish në Kuvend sot, në një “përpjekje” të radhës, të 41-tën për konstituimin e Kuvendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në seancën e cila që prej 15 prillit është ndërprerë çdo të dytën ditë, grupet kryesore parlamentare shkojnë me qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën dhe përgjegjësinë për konstituimin e Kuvendit. Situatën nuk e ka ndryshuar as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të një javë më parë, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se aktgjykimi lejon edhe votim të mbyllur, gjë të cilën po vazhdon ta propozojë pa sukses në Kuvend çdo dy ditë. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e thonë të kundërtën – se aktgjykimi konstatoi se votimi duhet të bëhet hapur.

Presidentja të mërkurën i ka takuar krerët e partive më të mëdha politike në vend për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe sot do të zhvillojë takime edhe me kryetarët e partive të tjera më të vogla.


(Kosova Sot Online)