
Murati: Opozita e ka bllokuar integrimin e Kosovës në SEPA

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka vazhduar kritikat e tij drejtuar partive të ish-opozitës, ku kësaj here i ka fajësuar këto të fundit për bllokimin e integrimit të Kosovës në SEPA, i cili është sistem evropian i pagesave që mundëson transferta ndërkombëtare të parave me kosto minimale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Murati ka thënë se ky bllokim nga opozita është bërë pasi që nga kjo e fundit, projektligji në fjalë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
‘‘Aktiviteti bllokues i opozitës nuk ka filluar vetëm tash me bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Për shembull, opozita e ka bllokuar edhe integrimin e Kosovës në SEPA, duke dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për Shërbimet e Pagesave, ligj i cili është transpozim i direktivës së BE-së dhe njëkohësisht parakusht për integrim në SEPA. SEPA është sistemi evropian i pagesave që mundëson transferta ndërkombëtare të parave me kosto minimale. Rreth 50 milionë euro tarifa në vit do të kursenin bizneset dhe diaspora jonë, nëse do të anëtarësoheshim në SEPA. A mos vallë edhe për këtë i ka fajet Albin Kurti?’’, ka shkruar ai në njërin nga postimet e bëra.
Në deklarimin tjetër, ministri në detyrë, ka thënë se kursimet e bizneseve sipas tij, nga SEPA, do të ishin rreth 29 milionë euro.
‘‘Rreth 29 milionë euro kosto të transfereve do t’i kursenin bizneset me integrimin e Kosovës në SEPA. Procesi i integrimit në SEPA eshtë bllokuar sepse opozita e ka dërguar ligjin në Kushtetuese. A din kush të më tregojë nëse ndonjë nga odat ekonomike ka lëshuar ndonjë komunikatë apo reagim ndaj opozitës për këtë dëm financiar që u është bërë bizneseve? Po televizionet e portalet a kanë informuar apo diskutuar për këtë bllokim dhe rëndesë ndaj bizneseve?’’, ka deklaruar ai në postimin tjetër të tij.
(Kosova Sot Online)