Për vrasjen e Agon Zejnullahut nga policët e Kosovës heshtin Osmani e Kurti

  • A.P /
  • 08 July 2025 - 12:00
Për vrasjen e Agon Zejnullahut nga policët e Kosovës heshtin Osmani e Kurti

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nuk e kanë thënë ende asnjë fjalë për ngjarjen tragjike të ndodhur në Lipjan, ku një 27 vjeçar ka vdekur në rrethana të paqarta derisa është arrestuar nga pesë zyrtarë policorë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Te pesë zyrtarët policorë janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë. Prokuroria Themelore e Prishtinës  ka konfirmuar se të pesë policët janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale ”Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, kanë thënë nga prokuroria në përgjigje.

27 vjeçari nga Lipjani, Agon Zejnullahu, ishte lajmëruar në polici nga disa qytetarë, nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte kalimtarët me veturën e tij në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Vëllai i të ndjerit, në një intervistë ka thënë se pasi ka parë videon e arrestimit të vëllait të tij, e bën shtetin përgjegjës për vdekjen.

(Kosova Sot Online)