Kush do të japë përgjegjësi për vrasjen barbare të Agon Zejnullahut?

  • A.P /
  • 08 July 2025 - 15:56
Kush do të japë përgjegjësi për vrasjen barbare të Agon Zejnullahut?

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nuk e kanë thënë ende asnjë fjalë për ngjarjen tragjike të ndodhur në Lipjan, ku një 27 vjeçar ka vdekur në rrethana të paqarta derisa është arrestuar nga pesë zyrtarë policorë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Te pesë zyrtarët policorë janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë. Prokuroria Themelore e Prishtinës  ka konfirmuar se të pesë policët janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale ”Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, kanë thënë nga prokuroria në përgjigje.

Alban Zejnullahu, vëllai i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu  i cili vdiq pas arrestimit në Lipjan, është deklaruar për rastin tragjik të vëllait të tij tashmë të ndjerë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se vëllai i tij kishte shenja dhune në fytyrë e në trup, pasi familja ishte thirrur që ta shihte 27-vjeçarin në emergjencë.

“Lajmin e pranuam pas orës 01:00, na telefonoi dikush nga stacioni policor tha të vijmë në emergjencë…Kur shkuam aty, pam një çarçaf të bardhë përmbi vëllain dhe ishte pa shenja jete”, tha Zejnullahu.

“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, shtoi ai.

Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…Posedojmë video që vërehet duke bërtitë në frymën e fundit dhe e goditin në fytyrë dhe aty më nuk lëvizë”, tha Zejnullahu mes dhimbjes së madhe për vdekjen e të vëllait.

Derisa në rrjetet sociale kanë shpërthyer qytetarët me komente duke kërkuar drejtësi dhe burg për ata që e vranë Agon Zejnullahun.

Mediat kanë siguruar emrat e pesë zyrtarëve policorë që janë suspenduar përkohësisht në lidhje me rastin e rëndë të ndodhur në Lipjan, ku Agon Zejnullahu 27-vjeçar u raportua si viktimë në rrethana të dyshimta, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Burimet bëjnë me dije se të suspenduarit janë: Ibrahim Nela – Rreshter në Stacionin Policor Lipjan – DRP Prishtinë, Artidon Konxheli – Zyrtar në SP Lipjan, Liridon Rrahmani – Zyrtar në SP Lipjan, Albian Ratkoceri – Zyrtar në SP Lipjan, Endrit Beqiri – Zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj – DRP Ferizaj.

Vendimi për suspendim është marrë pas vlerësimit të veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët në menaxhimin e rastit, i cili po trajtohet tashmë nga njësitë kompetente dhe Prokuroria.

(Kosova Sot Online)