
Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bosnje dhe Hercegovinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bosnje dhe Hercegovinë, ku sot do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ceremonia do të mbahet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kryeministri Kurti po udhëheq delegacionin zyrtar të Kosovës, i cili përfshin zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministren e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë, bën të ditur Kryeministria përmes një njoftimi.
Vitin e kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës datën 11 korrik e ka shpallur ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës.
(Kosova Sot Online)