Kurti: Rikthimi i Kosovës në EQAR, dëshmi e punës së Qeverisë

  • A.P /
  • 17 July 2025 - 09:00
Kurti: Rikthimi i Kosovës në EQAR, dëshmi e punës së Qeverisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook për rikthimin e Kosovës në EQAR, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se ky është sukses i madh, si dëshmi e punës dhe angazhimit.

Kurti tha se Kosova ishte përjashtuar nga EQAR për shkak të ndërhyrjeve politike në vitin 2018.

“Rikthimi i anëtarësimit të Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR), është sukses i madh dhe i rëndësishëm i cili qëndron si dëshmi e punës dhe angazhimit për të rritur cilësinë e arsimit të lartë e përafruar atë me standartet evropiane. Vendi ynë ka qenë edhe më herët anëtar i këtij organizmi, por në vitin 2018 e patëm humbur anëtarësinë për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë së atëhershme të PAN-it në strukturën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)”.

“Qeveria jonë, përmes ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që në vitin 2021 filloi punën për ta mbështetur AKA-në, duke ia mundësuar kushtet e përshtatshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe autonome, me profesionalizëm dhe përkushtim”.

“Tashmë jo vetëm që u rikthyem anëtarë, por edhe me të drejta të plota, duke qenë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor me këtë status. Të jesh anëtar i EQAR nënkupton edhe që universitetet dhe studentët tanë kanë mundësi të kenë qasje të plotë në programet e BE-së dhe të përfitojnë nga mobiliteti, bursat dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

(Kosova Sot Online)