OBSH dënon ashpër sulmet izraelite në Gaza

  • A.P /
  • 22 July 2025 - 11:43
OBSH dënon ashpër sulmet izraelite në Gaza

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dënuar “me termat më të ashpër” sulmet izraelite ndaj objekteve të saj në qytetin Deir al-Balah, duke thënë se operacioni tokësor i ushtrisë izraelite në qendër të Gazës ka penguar rëndë punën humanitare dhe ka vënë në rrezik stafin dhe familjet e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

BBC raporton se sipas OBSH-së, rezidenca e stafit të saj është goditur tre herë nga sulme ajrore, duke shkaktuar zjarr dhe dëme të mëdha, me punonjës dhe familjarë, përfshirë gra dhe fëmijë që janë detyruar të largohen në këmbë drejt al-Mawasit nën zjarrin e luftimeve.

Bëhet e ditur se meshkujt janë ndaluar, zhveshur dhe marrë në pyetje nën kërcënimin e armëve, ndërsa dy punonjës dhe dy familjarë janë arrestuar.

Po ashtu, raportohet se depoja kryesore e OBSH-së në Deir al-Balah është dëmtuar rëndë nga një sulm që shkaktoi shpërthime dhe zjarr, e më pas është plaçkitur nga turma të dëshpëruara.

Izraeli nuk ka komentuar ende për sulmet ndaj selive të OBSH-së.

Kujtojmë se operacioni në Deir al-Balah i nisur të hënën, ka detyruar dhjetëra mijëra palestinezë të largohen, ku sipas OKB-së, tani rreth 88% e territorit të Gazës është nën urdhra evakuimi apo zona të militarizuara, duke i shtyrë mbi 2 milionë banorë në një zonë të mbipopulluar me 46 km katror, ku shërbimet jetike janë kolapsuar.

OBSH paralajmëroi se sulmet kanë kompromentuar seriozisht praninë e saj në Gaza dhe kanë vënë në rrezik përpjekjet për të mbajtur në jetë sistemin shëndetësor që po shembet.

(Kosova Sot Online)