
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për herë të 51-të

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, për herë të 51-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ndryshe Kuvendi i Republikës së Kosovës të hënën vazhdoi seancën e radhës konstituive.
Kryesuesi Avni Dehari kërkoi serish nga subjektet politike propozime për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë.
Në mungesë të propozimeve, kryesuesi Dehari procedoi me hedhjen në votim të komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Për përbërjen e komisionit votuan 53 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk pati.
Në këto rrethana Kuvendi ndërpreu punimet, ndërsa vazhdimi i radhës do të jetë të mërkurën, më 23 korrik, në orën 11:00.
Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar ditën e djeshme Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional dhe afatin e caktuar për konstituim në Aktgjykimin e Kushtetueses që përfundon me 26 korrik dhe pasojat nëse konstituimi nuk bëhet brenda afatit.
(Kosova Sot Online)