KRU 'Prishtina' del me njoftim

  • A.P /
  • 23 July 2025 - 10:30
KRU 'Prishtina' del me njoftim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka apeluar tek qytetarët që të shfrytëzojnë ujin në mënyrë të kontrolluar, duke theksuar se është e nevojshme kursimi i tij, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e shpërndarë, thuhet se përdorimi i ujit në mënyrë të pakontrolluar ka ndikim negativ, duke zvogëluar rezervat e ujit të pijshëm. Kompania thekson se kursimi i ujit është i domosdoshëm për të siguruar sasi të mjaftueshme për të ardhmen.

“Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por uji duhet kursyer pikë për pikë! Vetëm kështu sigurojmë sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm për të ardhmen. Kemi rritje të kërkesave për ujë të pijshëm, pavarësisht që shpërndarja bëhet në mënyrë të barabartë dhe me kapacitete maksimale trajtuese”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim theksohet se Kompania është duke monitoruar situatën për të identifikuar çdo rast të keqpërdorimit dhe përdorimit të paligjshëm të ujit në zona urbane dhe rurale.

“Nga ju kërkojmë shpenzim racional të ujit, ndërsa ne jemi duke inspektuar terrenin për kyçje ilegale dhe keqpërdorime të ujit në zonat urbane e rurale”, është shprehur Kompania.

(Kosova Sot Online)