Izraeli po shqyrton kundërpropozimin e Hamasit

  • A.P /
  • 24 July 2025 - 16:02
Izraeli po shqyrton kundërpropozimin e Hamasit

Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi të enjten se Izraeli po shqyrton kundërpropozimin e grupit militant palestinez, Hamas, për armëpushim dhe një marrëveshje për lirim pengjesh, ndërkohë që sulmet ajrore dhe tokësore izraelite vazhdojnë në Rripin e Gazës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Grupi militant Hamas ka konfirmuar se ka dorëzuar një propozim të ri, por përmbajtja e tij ende nuk është bërë publike. Versioni i mëparshëm i dorëzuar të martën në mbrëmje, u hodh poshtë nga ndërmjetësuesit si i papërshtatshëm dhe nuk iu përcoll as Izraelit, sipas burimeve të afërta me procesin.

Dy çështje mbeten pengesat kryesore në bisedime: detajet mbi tërheqjen ushtarake izraelite dhe mënyra e shpërndarjes së ndihmave humanitare gjatë armëpushimit, ka shkruar Reuters.

Kabineti i Netanyahut përfshin parti të ekstremit të djathtë që kundërshtojnë çdo marrëveshje që nuk përfundon me shkatërrimin e plotë të Hamasit.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kishte deklaruar për radion ushtarake se: “Në momentin që do të vërente dobësi te kryeministri dhe nëse do të mendojë, larg qoftë, se kjo po përfundon me dorëzimin tonë në vend që Hamasi të dorëzohet plotësisht, nuk do të qëndroj (në qeveri) as edhe për një ditë.”

Në anën tjetër, i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të udhëtojë në drejtim të Italisë të enjten për t’u takuar me ministrin e Çështjeve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer, ku dyshja pritet të diskutojnë për marrëveshjen e armëpushimit.

Marrëveshja ngërthen në vetvete një armëpushim 60-ditor, gjatë së cilit Hamasi do të lironte 10 pengje të gjalla dhe trupat e pajetë të 18 pengjeve të tjera në disa faza, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael.

Aspekte të tjera të marrëveshjes përfshijnë rritjen e qarkullimit të ndihmave humanitare dhe negociatat e mëtejshme për një armëpushim të përhershëm.

Një zyrtar izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti, e ka kualifikuar propozimin e ri të Hamasit si të “realizueshëm”.

(Kosova Sot Online)