Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për herë të 52-të

  • A.P /
  • 25 July 2025 - 07:42
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për herë të 52-të

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, për herë të 52-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në vazdimin e seancës konstituive, që pritet të nis në orën 11:00, të pranishëm do të jenë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

 “Duke qenë se është mundësia e fundit për ta konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në Parlament”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Tentimi i 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të mërkurën nuk ka dhënë asnjë rezultat. Ndryshe nga herët tjera, nuk është hedhur në votim fare formimi i komisionit për votim të fshehtë, pasi pati një përplasje mes kryesuesit të seancës, Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut.

Dehari i kërkoi regjisë t’ia ndalë fjalën Musliut duke u thirrur në rregulloren e Kuvendit që nuk ka hapësirë për debat. Kjo e fundit ia mori mikrofonin Deharit për ta vazhduar fjalimin e duke i kërkuar që të mos i ndërpritet fjala.

Dehari mbylli seancën duke thënë se nuk ka kushte për vazhdimin e saj.

(Kosova Sot Online)