
Guerot: Bllokimi aktual po dëmton Kosovën

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, iu ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të shfrytëzojnë orët e pakta që kanë mbetur para se të përfundojë afati prej 30 ditësh i dhënë nga Gjykata Kushtetuese në qëllim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Guerot ishte pjesë e grupit të ambasadorëve që sot shkuan në Kuvend për të marrë pjesë seancën konstituive duke shpresuar se deputetët kosovarë do të shfrytëzonin një nga shanset e fundit për të zbatuar obligimin e tyre kushtetues.
“Së bashku me ambasadorë të tjerë, mora pjesë në seancën e sotme të Parlamentit. Bllokimi aktual po dëmton Kosovën. I inkurajoj të gjithë politikanët që t’i shfrytëzojnë plotësisht orët e pakta të mbetura para se të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese”.
Ambasadorët e vendeve perëndimore pas seancës shprehën shqetësimet e tyre për ngërçin që s’po zgjidhet në Kuvendin e Kosovës mes paralajmërimeve për pasojat për vendin në mungesë të institucioneve.
(Kosova Sot Online)