Lladrovci: Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit

  • A.P /
  • 29 July 2025 - 10:51
Lladrovci: Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit

Ramiz Lladrovci tha se nuk ka kontaktuar me asnjë prej udhëheqësve të Partisë Demokratike të Kosovës pas të dielës, kur Kryesia e PDK-së vendosi për ‘rrëzimin’ e rikandidaturës së tij për kryetar të Drenasit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryetari aktual i Drenasit tha se “nuk ka nevojë” të flasë me drejtuesit e partisë, të cilët të dielën vendosën për nominimin e Petrit Hajdarit si kandidat të PDK-së në garën elektorale në Drenas.

“Unë nuk kam folur me kërkond dhe s’kam asnjë nevojë me fol me askënd”, tha Lladrovci.

I pyetur nëse do të rikandidojë edhe për një mandat për kreun e komunës, Lladrovci tha se këtë çështje e ka bërë të ditur në një reagim në rrjetet sociale.

“Besoj që janë të mjaftueshme ato që i keni parë në rrjetet sociale dhe ta kuptoni [a do të rikandidojë, v.j]”, tha ai.

Menjëherë pas mohimit të kandidaturës së tij për kryetar nga Partia Demokratike e Kosovës të dielën, Lladrovci paralajmëroi shpalljen e kandidaturës si i pavarur. Në postim, ai shkroi: “Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”.

(Kosova Sot Online)