
Alarm nga OKB: Gaza në kufijtë e urisë

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se katastrofa që po zhvillohet në Gaza kujton uritë e shekullit të kaluar në Etiopi dhe Biafra të Nigerisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Drejtori i emergjencave të WFP-së, Ross Smith, ka thënë për gazetarët se:
“Kjo është ndryshe nga çdo gjë që kemi parë në këtë shekull. Na kujton katastrofat e dikurshme në Etiopi apo Biafra, në shekullin e kaluar,” ka thënë ai, duke kërkuar që të veprohet urgjentisht.
Kujtojmë se më herët, edhe trupi i mbështetur nga OKB, “Integrated Food Security Phase Classification” (IPC), ka lëshuar një alarm duke thënë se “skenari më i keq i urisë po ndodh aktualisht në Rripin e Gazës”.
Në një vlerësim të fundit, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara thuhet se:
“Provat në rritje tregojnë se uria e përhapur, kequshqyerja dhe sëmundjet po çojnë në një rritje të vdekjeve të lidhura me mungesën e ushqimit. Të dhënat më të fundit tregojnë se pragjet e urisë janë arritur për konsum ushqimor në shumicën e Rripit të Gazës dhe për kequshqyerjen akute në qytetin e Gazës.”
(Kosova Sot Online)