Ambasada e Kosovës në Shkup e 'butë' për thirrjet antishqiptare

  • A.P /
  • 04 August 2025 - 15:30
Ambasada e Kosovës në Shkup e 'butë' për thirrjet antishqiptare

Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut i ka dënuar thirrjet antishqiptare gjatë një ndeshje basketbolli të zhvilluar në Kumanovë, ku ishin të pranishëm edhe krerët e shtetit fqinj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo tha në një reagim se ka përcjellur me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me thirrjet raciste anti-shqiptare të tifozëve në ndeshjen e zhvilluar në fundjavë.

“Duke pasur parasysh që thirrjet e tifo grupeve të tilla janë të shpeshta dhe rëndom mbretërojnë nëpër stadiume, ne dënojmë në termat më të fuqishëm këto thirrje”, thuhet në reagim.

Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski i dënoi këto thirrje, pas kritikave ndaj tij.

“Vlerësojmë reagimin e kreut institucional të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje. Mjaft premtues është aktivizimi i prokurorisë dhe urojmë që autorët të i nënshtrohen pasojave juridike, duke krijuar kësisoji një trend të ndëshkueshmërisë për rastet e tilla”, thuhet në reagimin e ambasadës kosovare.


(Kosova Sot Online)