
Vuçiq ankohet se u mashtrua për Kosovën

Vetëm disa ditë pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se Serbia ishte mashtruar gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, presidenti Aleksandar Vuçiq gjithashtu ka akuzuar komunitetin ndërkombëtar për situatën e krijuar në Kosovë. Në një fjalim të mbajtur në Sremski Karlovci me rastin e përvjetorit të operacionit “Oluja”, Vuçiq shpjegoi në mënyrë figurative se si ishte mashtruar gjatë negociatave, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Megjithatë, sipas analistëve dhe bashkëbiseduesve të gazetës Nova, si Vuçiq ashtu edhe Daçiq kanë pranuar publikisht se kanë shkelur Kushtetutën e Serbisë.
Që nga viti 2013 kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, Serbia nuk ka arritur asnjë sukses konkret në dialogun me Kosovën. Sipas kritikëve, Serbia tashmë ka humbur kontrollin ne katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ndërkohë, e vetmja gjë që është premtuar nga – krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – nuk është realizuar deri më sot.
Vuçiq, në fjalimin e tij, akuzoi hapur vendet perëndimore duke thënë:
“Para tre vitesh e gjysmë pati zgjedhje në veri të Kosovës. Ata i njohën zgjedhjet me vetëm 2.5% pjesëmarrje. Dhe kjo paska qenë demokraci. Turp t’ju vijë, maskarenj! Më çuan në Moldavi për të më thënë ‘prit pak, do ketë zgjedhje të reja, do fitojnë serbët’. A ndodhën zgjedhjet? Jo!”
Më tej, ai krahasoi bashkëpunëtorët serbë të institucioneve të Kosovës me bashkëpunëtorët e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas deklaratave të Vuçiqit dhe Daçiqit, Komisioni Evropian reagoi duke sqaruar se të dyja palët, Serbia dhe Kosova, kanë hyrë në marrëveshjet “në mënyrë të vetëdijshme dhe me vullnet të lirë”, dhe se nga të dyja palët pritet që të kontribuojnë në një atmosferë pajtimi dhe normalizimi.
(Kosova Sot Online)