Izraeli mund të urdhërojë pushtimin e plotë të Gazës

  • A.P /
  • 05 August 2025 - 12:30
Izraeli mund të urdhërojë pushtimin e plotë të Gazës

Pavarësisht presionit ndërkombëtar, kabineti izraelit mund të autorizojë të martën një pushtim të plotë ushtarak të Gazës për herë të parë në më shumë se 20 vjet, raportojnë mediat vendase, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas kanalit izraelit Channel 12, kryeministri Benjamin Netanyahu po anon drejt një ofensive të zgjeruar dhe marrjes nën kontroll të të gjithë enklavës, pas 22 muajsh lufte kundër grupit militant Hamas. Ndërkohë, një burim i lartë izraelit ka thënë për agjencinë Reuters të hënën se “më shumë forcë” është një nga opsionet, pas kolapsit të bisedimeve indirekte për armëpushim me Hamasin.

Reuters shkruan se marrja e kontrollit të plotë të territorit do të përmbyste vendimin e vitit 2005, kur Izraeli u tërhoq nga Gaza, duke larguar kolonët dhe ushtrinë, por duke ruajtur kontrollin mbi kufijtë – një veprim që partitë e djathta e fajësojnë për ardhjen në pushtet të Hamasit në atë zonë.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse një pushtim i mundshëm i plotë do të nënkuptojë një okupim afatgjatë apo një operacion të shkurtër për të çmontuar Hamasin dhe për të liruar pengjet.

Kujtojmë se konflikti Izrael-Palestinë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi kreu një sulm të papritur në kufi, duke vrarë më shumë se 1,200 persona dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas shifrave izraelite.

Raportohet se fushata ushtarake e Izraelit ka shkatërruar enklavën e vogël dhe të mbipopulluar të Gazës, duke vrarë më shumë se 60,000 njerëz – gjë që ka shkaktuar zemërim të gjerë ndërkombëtar dhe ka shtyrë disa vende evropiane të paralajmërojnë se do ta njohin një shtet palestinez muajin e ardhshëm nëse nuk arrihet një armëpushim.


(Kosova Sot Online)