
Dogana gjen barna të kontrabanduara

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në qytetin e Prishtinës, kanë identifikuar një automjet të dyshimtë që ishte duke shpërndarë barna pa banderola në barnatore të ndryshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë ndalimit dhe kontrollit të automjetit, janë gjetur sasi të konsiderueshme të barnave të kontrabanduara, të cilat nuk posedonin dokumentacion të rregullt ligjor dhe nuk kishin banderola të Republikës së Kosovës, duke ngritur dyshime për prejardhjen e tyre dhe sigurinë për përdorim të qytetarëve.
“I dyshuari është shoqëruar për intervistim nga zyrtarët hetues të Doganës së Kosovës, ndërsa të gjitha barnat janë sekuestruar si prova materiale”.
Ndërkaq, me autorizim të Prokurorit kompetent, aktualisht janë duke u kryer kontrolle shtesë në barnatoret ku dyshohet se janë shpërndarë këto barna.
Dogana e Kosovës tha se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe veçanërisht në mbrojtjen e shëndetit publik nga produktet ilegale dhe të pasigurta.
(Kosova Sot Online)