
Trump: BE do të përballet me tarifa nëse nuk përmbush premtimin

Në intervistën e dhënë për CNBC, sipas The Guardian, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar poashtu se Bashkimi Evropian do të përballet me tarifa deri në 35% nëse nuk përmbush premtimin për investime prej 600 miliardë dollarësh, si pjesë e marrëveshjes BE-SHBA, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Ata më dhanë 600 miliardë dollarë – një dhuratë, jo hua – dhe për këtë arsye unë ua zbrita tarifat nga 30% në 15%. Ata na kanë shfrytëzuar për shumë vite. Tani është koha të paguajnë,” raportohet të ketë thënë Trump, shkruan The Guardian.
Tutje, bëhet e ditur se Trump ka kritikuar edhe kryeministren e Zvicrës, duke thënë se “nuk donte të dëgjonte” argumentet e tij.
Ai më pas ka folur edhe për industrinë farmaceutike, duke deklaruar se kompanitë fitojnë miliarda duke prodhuar në Kinë, Irlandë dhe vende të tjera:
“Do të vendosim fillimisht një tarifë të vogël për barnat, por brenda një viti – maksimumi një vit e gjysmë – ajo do të shkojë në 150%, e më pas në 250%. Ne duam që barnat të prodhohen në SHBA.”
Raportohet se në kalim e sipër, Trump është mburrur poashtu duke thënë se “liderët e NATO-s bëjnë çfarë të dua unë”.
(Kosova Sot Online)