
Netanyahu aludon për zgjerimin e luftës në Gazë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën aludoi për një ofensivë më të gjerë ushtarake në Gazën e shkatërruar, edhe pse ish-krerët e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite kanë bërë thirrje për dhënien fund të luftës gati 22-mujore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Presioni i ri ndaj Netanyahut vjen në kohën kur Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë ka tejkaluar shifrën 61.000.
Zyrtarët shëndetësorë në Gazë njoftuan për viktima të reja në mesin e palestinezëve të uritur që po kërkonin ushqim në qendrat e shpërndarjes së ndihmave.
Ditë më parë, përmes një letre të hapur qindra ish-zyrtarë të sigurisë, përfshirë ish-udhëheqësit e shërbimit të brendshëm të sigurisë, Shin Bet, dhe të agjencisë së spiunazhit, Mossad, kërkuan që presidenti amerikan, Donald Trump, të ndihmojë në përfundimin e luftës së Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ish-zyrtarët e lartë të sigurisë së Izraelit kanë lëshuar edhe video-mesazhe, duke bërë thirrje për ndaljen e luftës.
Objektivat e Netanyahut në Gazë janë “një fantazi”, tha Yoram Cohen, ish-shefi i Shin Betit, përmes një videoje.
(Kosova Sot Online)