
Radomir Llaban nga i dënuar në Serbi, në gjyqtar në Kosovë

Vëmendja e opinionit publik në Kosovë është kthyer sërish te Radomir Llaban, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nga radhët e komunitetit serb, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Këtë herë, vëmendja është kthyer te Llaban në kulmin e një krize institucionale që po zgjat prej disa muajsh, si pasojë e pamundësisë për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – për shkak të Llabanit – të martën e tërhoqi edhe kërkesën që në korrik ia kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar sqarim lidhur me hapat e mëtejmë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afat i caktuar më herët nga kjo gjykatë.
Si arsye për tërheqjen e kërkesës së saj, Osmani përmendi emërimin e gjyqtarit Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shqetësues dhe të rrezikshëm”.
Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përcakton se gjyqtari raportues në një çështje caktohet nga kryetari i gjykatës dhe se ai është përgjegjës për hartimin e raportit që i paraqitet kolegjit për shqyrtim.
Radomir Llaban është i njohur për publikun në Kosovë që nga viti 2018, kur presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, refuzoi fillimisht t’ia dorëzonte dekretin për emërim derisa të verifikohej nga organet e drejtësisë. Disa muaj më vonë, megjithatë, Thaçi e dekretoi atë.
Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.
Por, presidentja Osmani tani thotë se ka informacione që gjyqtari Llaban “paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Në një konferencë për media më 5 gusht, Osmani deklaroi se Gjykata Kushtetuese është njoftuar për “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit në vitet 2018, 2021 dhe 2024.
Ajo nuk pranoi të japë detaje se në ç’mënyrë Llaban paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, duke theksuar se ky është një vlerësim i besuar institucioneve të sigurisë.
(Kosova Sot Online)