
Taravari: Nacionalizmi, arsyeja pse ikëm nga qeveria

Kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët komentoi ngjarjen e fundit të thirrjeve raciste antishqiptate të tifozëve Maqedonas në ndeshjet e basketbollit të luajtur në Kumanovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Nga Pogradeci, ku bëri një vizitë zyrtare në prag të zgjedhjeve lokale, Taravari shprehu shqetësimin për klimën në rritje të nacionalizmit maqedonas, e cila sipas tij po ndikon negativisht në marrëdhëniet ndëretnike. Taravari tha se kjo ishte arsyeja pse partia e tij doli nga qeveria.
Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, së bashku me katër kandidatët për kryetarë komunash, zhvilloi një vizitë në qytetin e Pogradecit, në prag të zgjedhjeve lokale në vendin fqinj. Gjatë deklaratës per mediat, Taravari foli edhe mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, për ngjarjen ku u dëgjuan thirrje raciste nga tifozët maqedonas. Ai e cilësoi ngjarjen reflektim i një klime në rritje të nacionalizmit maqedonas, e cila po ndikon negativisht në marrëdhëniet ndëretnike dhe në klimën politike të vendit.
Sipas drejtuesve të Aleancës për Shqiptarët, rritja e tensioneve etnike dhe përdorimi i gjuhës fyese ndaj shqiptarëve në nivelet më të larta të qeverisjes janë tregues të një prirjeje të rrezikshme politike. Kjo situatë ka qenë edhe një nga arsyet kryesore që kjo parti u largua nga qeveria tre muaj më parë dhe kaloi në opozitë.
U theksua gjithashtu se ndikimi i politikës serbe në institucionet maqedonase është bërë i dukshëm dhe është nënvizuar edhe në raportet e Bashkimit Evropian, duke ndikuar në orientimin politik të vendit. Vizita në Pogradec u zhvillua në kuadër të një agjende më të gjerë, për të forcuar lidhjet politike dhe kombëtare mes shqiptarëve në rajon, në prag të një procesi zgjedhor të rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
(Kosova Sot Online)