
A e ka keqkuptuar njeriu i Trump-it, Putinin?

Mister pas marrëveshjes për një samit paqeje për Ukrainën midis presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe Vladimir Putin, javën që vjen në Alaskë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ndërsa të enjten dukej se ndërmjetësi i Trump-it, Steve Witkoff, kishte arritur përparim në takimin me Putinin, tani kjo po vihet në dyshim.
Sipas informacioneve të BILD, Kremlini nuk ka hequr dorë nga kërkesa maksimale, madje as përpara samitit më 15 gusht: që të kontrollojë plotësisht pesë rajonet ukrainase — Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia, Kherson dhe Krimea — përpara ndonjë armëpushimi.
Rusia ka propozuar vetëm “armëpushime sektoriale”, si ndalimi i ndërsjellë i sulmeve ndaj objekteve energjetike ose qyteteve të mëdha prapa vijës së frontit.
Por kurrsesi ndalimin e ofensivave të mëdha ruse përgjatë vijës së frontit.
Në anën tjetër, SHBA-të kishin ofruar ngrirjen e konfliktit përgjatë vijës aktuale të frontit – në këmbim të heqjes së shumicës së sanksioneve dhe marrëveshjeve të reja ekonomike me Rusinë.
Një ofertë që, sipas informacioneve të BILD, Kremlini nuk e ka pranuar.
Më keq akoma: Emisari i posaçëm i Trump-it, Witkoff, duket se ka keqkuptuar plotësisht disa deklarata të rusëve, duke i interpretuar gabimisht si lëshime nga ana e Putinit.
Një “tërheqje paqësore” e kërkuar nga Rusia për trupat ukrainase nga Khersoni dhe Zaporizhzhia, ai e kishte kuptuar si një tërheqje paqësore të rusëve nga ato rajone.
“Witkoff nuk e di për çfarë po flet,” deklaroi një zyrtar i qeverisë ukrainase për BILD.
Një vlerësim që, sipas informacioneve të BILD, ndahet edhe nga përfaqësues të qeverisë gjermane.
Sipas këtyre burimeve, të enjten në mbrëmje është zhvilluar një konferencë telefonike mes përfaqësuesve të qeverisë amerikane – përfshirë të dërguarin e posaçëm Witkoff, ministrin e Jashtëm Marco Rubio dhe nënkryetarin JD Vance– dhe partnerëve evropianë.
Siç mëson BILD, pala amerikane u perceptua si e çorganizuar dhe e papërgatitur, pa një qëndrim të unifikuar.
Kjo lidhej kryesisht me Witkoff, shpjegimet e të cilit për bisedën e tij me Putinin të mërkurën në Kremlin u perceptuan si të paqarta dhe konfuze.
Ai vetë u duk përballë europianëve i mbingarkuar dhe pak i aftë, sidomos kur fliste për çështjet territoriale në Ukrainë.
Për më tepër, dukej se kishte mospajtime të brendshme për hapat e mëtejshëm midis Witkoff dhe Rubio, pasi ministri i Jashtëm theksoi se evropianët duhet të përfshihen në procesin e ardhshëm, ndërsa Vance dhe Witkoff donin që Evropa të informohej vetëm pas vendimeve të mëtejshme të Trump-it.
(Kosova Sot Online)