
Presidenca e Kosovës del me njoftim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me drejtorin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Michael Reiffenstuel, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në vend dhe rajon, me fokus në zhvillimet për konstituimin e kuvendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, me fokus te zhvillimet rreth konstitutimit të parlamentit. Po ashtu, u diskutua për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.”
Në njoftimin e presidencës thuhet se Osmani ka konfirmuar gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz.
“Më tej, Presidentja Osmani vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane. “
Osmani ka thënë se Gjermania ka qenë dhe mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës.
Ajo ka kërkuar mbështetje për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, në veçanti në KiE.
“Tutje, Presidentja kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimit e plotë ndërkombëtar të Kosovë e në veçanti në Këshillin e Evropës, duke njohur rolin e Gjermanisë në Këshill dhe rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në takim, Presidentja theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke elaboruar qartë kontributin që një e tillë do të kishte në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon e Evropë.”
Sa i përket dialogut, Osmani ka thënë se është e nevojshme të ketë qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta.
“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës. Në takim Presidentja foli edhe për rëndësinë e largimit të plotë të masave të padrejta, duke theksuar që Gjermani mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Presidentja Osmani dhe z. Reiffenstuel diskutuan edhe për mënyra konkrete të bashkëpunimit bilateral, me ç’rast konfirmuan se takime të këtilla dhe vizitat e nivelit të lartë kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e objektivave të përbashkëta.”
(Kosova Sot Online)