
E papritur: Ja kush njofton dorëheqjen nga Vetëvendosje

Një prej më zërave më aktivë të Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, Lulzim Dragidella ka njoftuar për dorëheqjen e tij nga kjo parti, duke e cilësuar vendimin si “më të vështirin” në jetën e tij politike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në një deklaratë të gjatë, Dragidella theksoi se vendimi nuk është marrë për arsye emocionale, por pas një reflektimi të thellë mbi drejtimin që ka marrë LVV në vitet e fundit.
Ai kritikoi mungesën e demokracisë së brendshme, mungesën e transparencës dhe përjashtimin e zërave kritikë brenda strukturës partiake.
“Pas një procesi të gjatë mendimesh, analizash dhe betejash të brendshme, kam marrë vendimin më të vështirë në jetën time politike: Të tërhiqem menjëherë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ky vendim nuk ka ardhur si pasojë e një momenti emocional, por si rezultat i një reflektimi të gjatë mbi rrugën time politike, mbi përvojat që kam kaluar dhe mbi realitetin aktual të kësaj lëvizjeje. Unë u bëra pjesë e VETËVENDOSJE!-s sepse besoja se ajo përfaqësonte një vizion të qartë për ndryshim shoqëror: drejtësi, barazi, përgjegjësi, solidaritet dhe guxim për t’u përballur me çdo padrejtësi, pa kompromis me parimet.
Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij. Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, thotë ai.
(Kosova Sot Online)