Ramadan Morina nga Malisheva ka shtetësi të Serbisë

  • A.P /
  • 14 August 2025 - 14:22
Ramadan Morina nga Malisheva ka shtetësi të Serbisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Ramadan Morinës, i dyshuar për krime lufte, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Morina sot u paraqit në Gjykatë, teksa për arrestimin e tij kishte njoftuar Prokuroria Speciale gjatë kësaj jave.

Gjykata thekson se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 31 mars 1999, i pandehuri R.M kishte qenë pjesëmarrës në krimet e kryera në fshatin Burim të Malishevës, po ashtu dyshohet se në të njëjtën datë, kishte marr pjesë edhe në vrasjen e 34 viktimave të këtij fshati.

Në arsyetimin për paraburgim, gjykata thotë se Morina po të lihej i lirë, do të mund të arratisej, pasi i njëjti e ka shtetësinë dhe vendbanimin e përhershëm në Serbi.

Njoftimi i plotë i gjykatës.

Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit R.M., i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit R.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin R.M., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 31 mars 1999, i pandehuri R.M kishte qenë pjesëmarrës në krimet e kryera në fshatin Burim të Malishevës, po ashtu dyshohet se në të njëjtën datë, kishte marr pjesë edhe në vrasjen e 34 viktimave të këtij fshati.

Gjykata vlerësoj se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.M. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë, ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale, gjithashtu Gjykata konstaton se nëse i pandehuri lihet në liri paraqet rrezik real se i njëjti mund të identifikoj dëshmitarët dhe të ushtroj ndikim tek të njëjtit.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)