
Arrestohen 13 persona në Deçan

Policia e Kosovës në bashkëpunim më Gjykatën kompetente dhe Prokurorinë Themelore, kanë arrestuar 13 persona në Deçan, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Të njëjtit janë kapur në flagrancë duke luajtur bixhoz.
Tek të dyshuarit janë konfiskuar vlera monetare të ndryshme, ndërsa tek njëri nga të dyshuarit, në veturën e tij i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 8 fishekë.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Decan / 17.08.2025-01:05. Njësitet policore në koordinim me gjykatën kompetente dhe prokurorinë themelore, kanë arrestuar trembëdhjetë (13) të dyshuar kosovarë, pasi të njëjtit në një lokal janë kapur në flagrancë duke luajtur bixhoz. Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit janë konfiskuar vlera monetare të ndryshme, ndërsa tek njëri nga të dyshuarit, gjatë kontrollit në veturë i është gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë me 8-fishekë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Autoritetet sekuestruan rreth 17 mijë euro, një armë zjarri, shufra metalike, thika, si dhe prova materiale shtesë që lidhen me veprën penale të dyshuar.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, për Telegrafin bëri të ditur se ndaj të arrestuarve pritet të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 13 personave që janë arrestuar dhe ndaluar”, tha Nikçi.
Ai po ashtu njoftoi se tashmë është marrë vendim për hapjen e hetimeve për veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa provat e sekuestruara do të përdoren në procedurën penale.
(Kosova Sot Online)