Presidenca kërkon që institucionet të konstituohen me urgjencë

  • A.P /
  • 19 August 2025 - 13:29
Presidenca kërkon që institucionet të konstituohen me urgjencë

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar që nesër, e mërkurë, nga ora 11:00, do të vazhdojë seanca konstituive, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ky vendim vjen pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.

E për këtë çështje, Presidenca e Kosovës po kërkon që institucionet të konstituohen me urgjencë. Madje, ky institucion këtë çështje e konsideron “urgjencë shtetërore”.

“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”.

“Zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare”, thuhet nga Presidenca.

Ky institucion apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, “në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”.


(Kosova Sot Online)