Prokuroria Speciale kërkon arrestimin e Goran Rakiqit

  • A.P /
  • 19 August 2025 - 13:41
Prokuroria Speciale kërkon arrestimin e Goran Rakiqit

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës të lëshojë urdhër-arrest ndaj Goran Rakiqit, ish-kryetar i Listës Serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kjo është konfirmuar për Reporterin nga zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Nora Luta. Ajo tha se Rakiq “është ftuar tri herë, por nuk është paraqitur, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim”.

Arsyeja ka të bëjë me vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të vendit, gjatë vitit 2022, kur Rakiqi ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj tij”, thuhet në përgjigjen për media.

Nga Prokuroria gjithashtu konfirmuan se tashmë veçse ka përfunduar intervistimi i të pandehurve Zllatan Ellek, Igor Simiq dhe Sllavko Simiq.


(Kosova Sot Online)