Serbia ndjek penalisht një dëshmitar

  • A.P /
  • 21 August 2025 - 13:00
Serbia ndjek penalisht një dëshmitar

Nga dëshmitar kryesor në të pandehur. Kjo është rruga e Krunosllav Fehirit, dëshmia e të cilit ishte vendimtare në gjyqin e Branimir Gllavashit në Kroaci, për krime lufte kundër civilëve serbë në vitin 1991, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në fillim të gushtit, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktakuzë kundër Fehirit – një veprim që njohësit e këtij rasti e konsiderojnë si të pazakontë, po aq sa edhe heshtjen e zyrtarëve të Zagrebit për të.

Si i mitur, Krunosllav Fehir ishte pjesëtar i Batalionit të Osijekut të Branimirit – një formacion që ishte në varësi të drejtpërdrejtë të Gllavashit, njërit prej themeluesve të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe, në atë kohë, njeriut de facto më të fuqishëm në zonën e Osijekut, në Kroacinë lindore.

Gllavash u dënua me shtatë vjet burg me një vendim të shkallës së parë, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të jepet nga Gjykata e Lartë e Kroacisë.

Në mes të qershorit të këtij viti, policia serbe e arrestoi Fehirin me të hyrë në Serbi dhe që atëherë ai mbahet në paraburgim në Burgun Qendror të Beogradit.

Sipas avokatit të tij, Bojan Stanojlloviq, Prokuroria e akuzon Fehirin për anëtarësim në një grup që nxiste kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Bëhet fjalë për nenin 145, paragrafin 2 të Kodit Penal nga koha e RSFJ-së, i cili parashikon dënim me burg prej së paku një viti.

 

(Kosova Sot Online)