'Dorëheqja e Liburn Aliut dëshmon se LVV është shndërruar në makineri autokratike'

  • A.P /
  • 27 August 2025 - 13:13
'Dorëheqja e Liburn Aliut dëshmon se LVV është shndërruar në makineri autokratike'

Analisti Shenoll Muharremi, ka reaguar pas dorëheqjes së Liburn Aliut nga posti i ministrit në detyrë të Infrastrukturës, duke e cilësuar këtë zhvillim si tregues të krizës së brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje dhe rënies së saj, siç thotë ai, në “kurthin e lakmisë për pushtet absolut”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Dorëheqja e Liburn Aliut po demonstron që LVV dhe Albin Kurti kanë rënë në kurthin e lakmisë për pushtet absolut dhe kanë humbur rrugën. Një parti që dikur fliste për demokraci dhe ideale sot është shndërruar në makineri autokratike, pa frymë të brendshme demokratike, pa konsultime cilësore dhe pa busull morale”, ka shkruar Muharremi.

Ai akuzoi LVV-në se ka braktisur idealet për të cilat ishte formuar, duke u marrë me “kapjen e bordeve e institucioneve publike, vendosjen e militantëve, ndërhyrje politike në RTK dhe madje edhe sulme ndaj ekonomisë e bizneseve”.

“Liburni nuk është i pari e as i fundit që e ka lënë Kurtin. Shumica e njerëzve me integritet, vlera dhe shkathësi janë larguar. Aty kanë mbetur kryesisht ata që nuk guxojnë ta sfidojnë liderin edhe kur ai gabon”, shtoi ai.

Muharremi vlerësoi se sot LVV është e njohur si parti e përçarjes, polarizimit dhe populizmit të rrezikshëm, duke mos treguar kapacitete për qeverisje apo vizion për të ardhmen.

“E ardhmja e LVV-së nuk duket e mirë pa një reformë të thellë dhe të gjerë. Partia do ta ketë vështirë të ndalë tkurrjen e saj në periudhën e tashme dhe të ardhshme. Rruga që ka zgjedhur lideri dhe po aplikon partia duket sikur rrugë drejt humbjes dhe tkurrjes sistematike, derisa reforma dhe ndryshimet të mbeten e vetmja rrugë për shpëtim”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)