Ana Murganiq, njeriu kyç i Beogradit në Kosovë

  • A.P /
  • 28 August 2025 - 07:09
Ana Murganiq, njeriu kyç i Beogradit në Kosovë

Një nga skandalet më të mëdha të spiunazhit që ka tronditur Kroacinë dhe rajonin ka zbuluar një rrjet të organizuar serb që synonte infiltrimin në institucionet ndërkombëtare në Kosovë, me qëllim mbledhjen e informacionit të ndjeshëm dhe ndikimin në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në rastet kundër ish-anëtarëve të UÇK-së, raporton vecernji.hr

Në qendër të këtij rrjeti ishte Ana (Dragomir) Murganiq nga Mitrovica e Veriut, e cila kishte lidhje të ngushta dhe të shumta me gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it – misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë. Pikërisht këto lidhje, sipas burimeve të hetimit, janë shfrytëzuar për të ndikuar në procese gjyqësore të ndjeshme dhe për të transmetuar informacion të klasifikuar në Beograd.

Skandali doli në dritë pasi ajo dhe i dashuri i saj, piloti i Forcave Ajrore Kroate J.I. nga Spliti, u arrestuan muajin e kaluar në një nga ishujt e arkipelagut të Splitit. Edhe pse arsyet fillestare të arrestimit nuk janë bërë të ditura, hetimet e mëvonshme zbuluan përmes analizës së telefonave të tyre një komunikim të vazhdueshëm që përfshinte kalimin e informacioneve konfidenciale te politikanë dhe struktura shtetërore serbe.

Sipas mediumit kroat, piloti J.I., gjatë shërbimit të tij si pjesë e kontingjentit kroat (HRVCON) në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë, i kishte kaluar informacion të ndjeshëm Anës, e cila në bazë të kontakteve të saj në EULEX, dyshohet se e kishte përdorur atë për qëllime të inteligjencës serbe.

Pas zbulimeve të reja, çifti u arrestua sërish. Prokuroria e Splitit ka ngritur ndaj tyre akuzën për spiunazh në favor të një shteti të huaj – një vepër penale që sipas Kodit Penal të Kroacisë dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ky rast hedh dritë mbi përpjekjet e shërbimeve serbe për të ndërtuar rrjete ndikimi përmes përfshirjes së shtetasve serbë në organizata ndërkombëtare dhe mbi rrezikun real që paraqet kjo për sigurinë dhe integritetin e proceseve ligjore në Kosovë.

(Kosova Sot Online)