Krasniqi: Patriotizmi është pika më e fortë e opozitës

  • A.P /
  • 28 August 2025 - 11:36
Krasniqi: Patriotizmi është pika më e fortë e opozitës

Analisti politik, Albert Krasniqi, tha se secila prej partive opozitare ka figura të shquara të luftës për liri dhe shtoi se është “e pakuptimtë” si po lejojnë që atyre t’u mbahet “ligjërata patriotike” nga individë që kanë dalë hapur kundër UÇK-së, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Kredencialet patriotike janë pika më e fortë e partive politike opozitare. Secila prej tyre ka në radhët e veta figura të shquara të luftës tonë për liri. Është e pakuptimtë sesi këto parti lejojnë të akuzohen se janë me Serbinë dhe t’u mbahen ligjërata patriotike nga individ që kanë dalë hapur kundër UÇK-së. Edhe më absurde është se opozita po bie nën ndikimin e kësaj retorike, duke lejuar që kundërshtarët t’i diktojnë veprimet dhe t’ua përmbysin narrativen historike”.

Deklarata e Krasniqit vjen para seancës ku pritet të votohet për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet që ta bëjë Nenad Rashiqin nënkryetar, ndërsa Lista Srpska, që ka nëntë deputetë në Kuvend, seancën e kaluar propozoi tri herë Slavko Simiqin.

Simiqi mori vota kundër nga Vetëvendosje dhe nga deputetë të AAK-së që ishin në sallë, ndërsa PDK abstenoi dhe LDK s’mori pjesë në votim.


(Kosova Sot Online)