Turqia arreston shefat e firmës së mbrojtjes

  • A.P /
  • 28 August 2025 - 13:38
Turqia arreston shefat e firmës së mbrojtjes

Autoritetet turke kanë arrestuar pronarin dhe menaxherin e përgjithshëm të “Assam Groupit”, konglomerat i ndërtimit dhe mbrojtjes, në kuadër të një hetimi të spiunazhit ushtarak, ka bërë të ditur të mërkurën mbrëma vonë prokuroria e Stambollit, shkruan Reuters.

Prokuroria ka njoftuar se dy burrat – të identifikuar si pronar i kompanisë, Emin Oner, dhe menaxheri i përgjithshëm, Gurcan Okumus – po mbahen në paraburgim me dyshimin për spiunazh ushtarak dhe anëtarësi në rrjetin e klerikut me qëndrim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrim të tentimpuçit të vitit 2016.

Bastisje janë kryer në shtëpitë dhe zyrat e tyre, derisa dhjetë kompani që operojnë nën “Assan Group” janë vendosur nën menaxhim të Fondit të Depozitave të Kursimeve të Sigurisë (TMSF), thuhet në deklaratë.

Reuters nuk ia ka dalë që të marrë menjëherë një koment të “Assan Groupit”.

Okumus është ish-drejtues i TUBITAK SAGE, institut shtetëror i kërkimeve të mbrojtjes që kishte zhvilluar municione dhe sisteme raketore.

“Assan”, themeluar më 1989, ka operacione në mbrojtje, ndërtim, logjistikë dhe energji, dhe viteve të fundit ka zgjeruar aktivitetin në prodhim të municionit të artilerisë dhe komponentëve të dronëve.

“Hetimi po vazhdon në shumë drejtime” – thuhet në deklaratën e zyrës së prokurorisë.

(Kosova Sot Online)