Sot mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës

  • A.P /
  • 01 September 2025 - 07:32
Sot mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës

Kryetari i kuvendit, Dimal Basha, të shtunën e ka shpallur të mbyllur konstituimin e kuvendit, ndonëse nuk është zgjedhur nënkryetari serb, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thirrur një mbledhje të kryesisë për sot, por nga PDK dhe LDK kanë thënë se s’do të marrin pjesë.

“Sot, Kryetari i Kuvendit shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa u zbatuar në tërësi Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës. Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kuvendi ende nuk është i konstituuar, sepse nuk është zgjedhur Kryesia e tij në përbërjen e plotë kushtetuese. Në këto rrethana, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shteti”, thuhet në komunikatën e PDK’së.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Basha ka konstatuar gabimisht se seanca është konstituar, meqë Kushtetuta e thotë qartë që një gjë e tillë konsiderohet vetëm pasi të jenë zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

Thirrja e mbledhjes së Kryesisë nga Basha, Abdixhiku ka thënë se është antikushtetuese dhe s’marrin pjesë.

“S’marrim pjesë në çmenduri të tilla”, ka thënë ai.

Njohës të ndryshëm të zhvillimeve politike e kanë hedhur poshtë veprimin e Bashës duke thënë se seanca konstituive nuk mund të konsiderohet e përmbyllur pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.

(Kosova Sot Online)