SHBA-të pezullojnë miratimet e vizave për mbajtësit e pasaportave palestineze

  • A.P /
  • 01 September 2025 - 09:45
SHBA-të  pezullojnë miratimet e vizave për mbajtësit e pasaportave palestineze

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar miratimet e vizave për pothuajse të gjithë ata që mbajnë një pasaportë palestineze, raportoi të dielën New York Times.

Kufizimet shkojnë përtej atyre që administrata e Donald Trump kishte njoftuar më parë për vizitorët nga Gaza.

Ato do t’i pengonin palestinezët të udhëtonin në Shtetet e Bashkuara për trajtim mjekësor, të ndiqnin një kolegj dhe të udhëtonin për punë, raportoi gazeta, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.

Departamenti i shtetit tha dy javë më parë se po ndalonte të gjitha vizat e vizitorëve për individët nga Gaza ndërsa kryente një shqyrtim “të plotë dhe tërësor”, një veprim që është dënuar nga grupet pro-palestineze.

Të premten, SHBA-të filluan të mohonin dhe të revokonin vizat për anëtarët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Autoritetit Palestinez (PA) përpara takimit të asamblesë së OKB-së në shtator, konfirmoi departamenti i shtetit.

Sipas një marrëveshjeje si pritëse e OKB-së në Nju Jork, SHBA-të nuk supozohet të refuzojnë vizat për zyrtarët që shkojnë në organin botëror për asamblenë e përgjithshme, por departamenti i shtetit tha se po i përmbahej marrëveshjes duke lejuar misionin palestinez të merrte pjesë.

“Administrata Trump ka qenë e qartë: është në interesin tonë të sigurisë kombëtare t’i mbajmë përgjegjëse PLO-në dhe AP-në për mosrespektimin e angazhimeve të tyre dhe për minimin e perspektivave për paqe”, ka thënë departamenti i shtetit në një deklaratë.

Masa e re vlerësohet se e afron më tej administratën Trump me qeverinë e krahut të djathtë të Izraelit, e cila e refuzon me vendosmëri një shtet palestinez.

(Kosova Sot Online)