
Basha: Unë e interpretoj rregulloren

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha s’mundi ta mbante një mbledhje të “Kryesisë”, meqenëse nuk pati kuorum, si pasojë e mungesës së nënkryetarëve të tjerë të zgjedhur jashtë partisë së tij, të cilët e konsiderojnë jokushtetuese mënyrën se si ai e “konstituoi Kuvendin”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai e arsyetoi shpalljen e Kuvendit “të konstituuar”, duke thënë se ka “përgjegjësi” që “ta funksionalizojë Kuvendin”.
“Kuvendi nuk duhet të mbetet jofunksional për shkak të moszgjedhjes së një kryetari”, tha ai.
Basha tha se për të ka qenë “shumë e rëndësishme” që “të konsideroj që Kuvendi të shpallet i konstiuuar”.
Ai citoi rregulloren e Kuvendit në pjesën që thotë se “kryetari është përgjegjës për zbatimin e rregullores dhe bën interpretimin e saj”, ndërsa tha se “ka kuorum për të pasur një Kuvend funksional”.
“Pra, nuk ka për mua logjikë të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, tha ai, duke iu referuar mungesës së një nënkryetari serb.
“Për më tepër, ju e dini që Gjykata Kushtetuese është e heshtur në rastin ku asnjëri nga kandidatët nuk i merr votat e mjaftueshme, në këtë rast, për nënkryetar, siç e kemi pasur rastin në seancën e fundit”, tha ai.
Basha tha se në të kundërtën, do të “bllokohej shteti”
Ai kërkon që “të vazhdojë rrjedhja e afateve me caktimin e mandatarit dhe të kemi institucione funksionale, siç edhe presin qytetarët” dhe “miqtë ndërkombëtarë”.
(Kosova Sot Online)